Policia e Kosovës arreston 31 persona të dyshuar për ‘marrje me prostitucion’
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ), me datën 13 shtator 2018, mbështetur në hetimet paraprake, ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e 31 personave të dyshuar.
“Personat e dyshuar janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘marrje me prostitucion, Neni 7, Ligji 03/L-124, të cilët dyshohet se me veprimet e tyre i kanë përmbushur elementet e kësaj vepre. Personat e arrestuar në këtë rast janë gjithsej 31 (tridhjetë e një), nga të cilët 2 (dy) femra shqiptare kosovare dhe 29 (njëzet e nëntë) meshkuj shqiptarë kosovarë”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës, duke u shtuar se me këtë rast është bërë edhe identifikimi i katër personave të tjerë, të cilët dyshohet se momentalisht nuk gjenden në Kosovë, por do të paraqiten personalisht në Gjykatë. Pas konsultimit me Gjykatën Themelore të Departamentit për Kundërvajtje në Prishtinë ndaj të gjithë të dyshuarve është iniciuar kërkesë për fillimin e procedurës për kundërvajtje, ku me datën 13 shtator 2018 ata janë dërguar me procedurë të shpejtë pranë organeve të drejtësisë, respektivisht në Gjykatën Themelore – Departamenti për Kundërvajtje në Prishtinë”, thuhet në njoftim.