Policia e Kosovës arreston dy të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare
Policia e Kosovës ka njoftuar se Sektori për Hetimin e Korrupsionit ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprat penale ‘përvetësimi në detyrë dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.
Policia ka njoftuar përmes një komunikate se, i dyshuari H.D. që aktualisht ka mbajtur pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Financave në Ministrinë e Shëndetësisë, dyshohet se ka keqpërdorur të holla në vlerë të 132,345 eurove në periudhën kohore 2017-2018.
Sa i përket të dyshuarit të dytë, M.R. zyrtarët kanë njoftuar se teksa ai ka qenë në pozitën e Drejtorit të Financave në Ministrinë e Shëndetësisë në periudhën kohore 2014-2017 dyshohet se ka keqpërdorur mjete në vlerë të 1,170,854 eurove.
Të dy personat dyshohet se kanë tërhequr këto shuma të të hollave për udhëtime zytare, të cilat nuk kanë ndodhur asnjëherë dhe për të cilat nuk ka të dhëna që dëshmojnë arsyen e tërheqjes.
Me vendim të Prokurorit në Prishtinë, Policia ka thënë se të dy personat janë ndaluar për 48 orë.