Policia e Kosovës dhe ajo e Gjermanisë rrisin bashkëpunimin
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Gjermani, pas ftesës së presidentit të Policisë Federale të Gjermanisë, Dieter Roman.
Gjatë një takimi, Romani dhe Qalaj janë dakorduar se bashkëpunimi bilateral në mes të dy policive do të rritet dhe dy institucionet do ta mbështesin njëra-tjetrën në këtë rrugëtim.
“Përvojat e mira të bashkëpunimit në mes të dy policive do të vazhdojnë dhe ato vetëm sa do të intensifikohen në fusha të ndryshme të sigurisë si: kontrolli kufitar, shkëmbimi i informacioneve, trajnimi në fusha të ndryshme të sigurisë, shkëmbimi i programeve në avancimin e Policisë dhe mbështetja në fusha të ndryshme të sigurisë”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Në kuadër të vizitës drejtori Qalaj ka vizituar edhe Departamentin e fluturimit, patrullimit me helikopter si dhe një pikë të përbashkët kufitare në mes të Gjermanisë dhe Polonisë.
Të dy homologët e kanë vlerësuar lart takimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë policorë dhe takime të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
/Epoka e re/