Policia e Kosovës ekspozon armatimin e kapur në veri
Policia rajonale e Kosovës në Mitrovicë ka dalë me detaje nga aksioni i sotëm për kapjen e armëve ilegale në veri.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se në kuadër të aktiviteteve operative në bashkëpunim me AKI-në kanë arritur të identifikojnë disa lokacione ku ndodhej armatimi i fshehur, nga ish-pjesëtarë të Mbrojtjes Civile dhe pjesëtarë të grupit terrorist të Banjskës.
Lokacioni i parë është në veri të Mitrovicës, në afërsi të Tre Rrokaqiejve, ndërlidhet me personin në kërkim, Marjan Radojeviq, ndërsa lokacioni tjetër është në rrugën “Çeta e Minatorëve”, në veri i Mitrovicës që ndërlidhet me subjektin në kërkim Zharko Cvetkoviq.
Në lokacionin e parë janë gjetur tri armë të gjata AK-47, katër karikatorë me 60 fishekë, një krehër me 11 fishekë, një këllëf revoleje, një çantë ushtarake.
Ndërsa në lokacionin e dytë janë gjetur një rrip brezi me 25 fishekë për armë gjuetie, 23 fishekë për armë gjuetie, pistoletë TT me një karikator me tetë fishekë, tre karikatorë me nga tetë fishekë, dy karikatorë në fotrollë, 28 fishekë për armë të gjata, 10 krehër me fishekë të armës së gjatë (99 fishekë), një kuti me fishekë 7×62, katër pastruese të armës, kuti me lëndë të dyshimtë.
Në lokacionin e tretë janë gjetur armë e gjatë me bajonetë, një pistoletë me dy karikatorë me nga tetë fishekë 7×62 dhe një fotrollë, çantë e zezë me pajisje për pastrim të armës, dy kuti me nga 50 fishekë 7×62, tre karikatorë me fotrolla me nga tetë fishekë, armë e gjatë gjuetie me çantë.
Ndërsa në lokacionin e katërt janë gjetur iriq metalik, jelek i brendshëm antiplumb, 30 copë mjet i dyshuari eksploziv TM 100, një uniformë, çantë e zezë me pajisje të ndihmës së parë dhe adapter për radiolidhje.