Policia e Kosovës fton kandidatët e listës së pritjes për t’i bërë testet psikologjike dhe mjekësore
Policia e Kosovës përmes një njoftimi publik ka ftuar kandidatët të cilët janë në listën e pritjes për tu bërë pjesëtar të policisë së Kosovës që të marrin pjesë sipas orarit të publikuar për t’i bërë testet psikologjike dhe kontrollet mjekësore.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
NJOFTIM – Data e publikimit 27.12.2022
NJOFTIM: Faza e testimit psikologjik dhe kontrollimit mjekësore sipas konkursit për zyrtar policor me numër reference 01/0847 te datës 27.10.2021.
Kandidatët nga lista e publikuar duhet të paraqiten me kohë në vendin ku është paraparë mbajtja e testit psikologjik dhe kontrollimit mjekësore.
Testi Psikologjik vazhdon sipas orarit në listën e bashkangjitur.
Kandidatët e ftuar për test psikologjik duhet të paraqiten me datën e caktuar në orar nga ora 08:00 në SHSKUK (Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës), në objektin e Mjekësisë Sportive (hyrja nga Spitali Amerikan), ndërsa për kandidatët që e kalojnë me sukses fazën e testit psikologjik, ekzaminimi mjekësor është në po të njëjtin vend, pasi që paraprakisht të kenë dhënë analizat laboratorike në Klinikën e Biokimisë (objekti i Qendrës Emergjente).
Kandidatët me vete duhet të kenë:
- Letërnjoftimin ose pasaportën valide
- Një laps kimik.
Vetëm kandidatët që përfundojnë me sukses testimin psikologjik do të informohen të njëjtën ditë nga zyrtari përgjegjës për datën dhe kohën e mbajtjes së kontrollimit mjekësorë.
Vëmendje:
Në bazë të Ligjit për Policinë, kreu V, neni 44, Ligjin e Punës Nr. 03/L-212, kreu II, neni 8, Ligji për Barazi Gjinore nr. 05/L-020, neni 5 dhe 6, Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi nr. 05/L-021, neni 7, Udhëzimin Administrativ 01/2021 mbi Marrëdhënien e Punës në Policinë e Kosovës, kapitulli III neni 8, neni 9 pika 1 dhe 2, dhe Vendimin e Drejtorit të Përgjithshëm datë:27/10/2021 me nr. ref: 01/0847, Policia e Kosovës ka hapur konkursin për zyrtar policor.
Duke u bazuar në vendimin e datës 27/10/2021 me nr. ref: 01/0847 për zbatimin e masave të veçanta të përkohshme afirmative, Policia e Kosovës do të ndërmerr masa të veçanta të përkohshme me qëllim të garantimit të të drejtave të barabarta gjinore, promovimit të barazisë gjinore dhe me qëllim të rritjes së përfaqësimit të zyrtareve policore gra në Policinë e Kosovës.
Masat e veçanta që do të ndërmerr Policia e Kosovës do të zbatohen në procedurën e rekrutimit dhe punësimit në Policinë e Kosovës, në mënyrë që gjatë procesit të rekrutimit të zyrtarëve policorë nga të gjithë ata kandidatë që do të plotësojnë kushtet dhe kalojnë pragun e kalueshmërisë 70% përparësi do të këtë gjinia femërore.