Policia e Kosovës ka një muaj kohë të ofrojë garanci për lirimin e përkohshëm të Gucatit dhe Haradinajt
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës ka njoftuar se kanë kërkuar nga Policia e Kosovës që të ofrojë garanci për lirimin e mundshëm të përkohshëm të Hysni Gucatit dhe Nasmi Haradinajt.
Në njoftimin e bërë për media është thënë se policia ka kohë deri më 26 nëntor 2021 të ofrojë informacion lidhur me autorizimet dhe kapacitetet e saja lidhur me lirimin e mundshëm të përkohshëm të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt
“Policia e Kosovës të ofrojë informacion lidhur me lirimin e mundshëm të përkohshëm të Gucatit dhe Haradinajt. Trupi gjykues II urdhëroi policinë e Kosovës që deri më 26 nëntor 2021 të ofrojë informacion, ndër të tjera, lidhur me autorizimet dhe kapacitetet e saja lidhur me lirimin e mundshëm të përkohshëm të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt”, është thënë në njoftimin e publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020.