Policia e Kosovës konfiskoi mbi 50 kilogramë substancë narkotike
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar dhe ka konfiskuar më shumë se 50 kilogramë substancë të dyshuar narkotike.
Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë, ka bërë me dije se operacioni është ndërmarrë pas një hetimi disa mujorë.
Aksioni i Policisë është zhvilluar në dy lokacione. “Në rrugën Prishtinë-Gjilan (në fshatin Ponesh) Policia e Kosovës ka ndaluar automjetin Mercedes me targa shqiptare, që drejtohej nga i dyshuari (F. Th.), i cili ishte së bashku me të dyshuarin tjetër (Xh. H.), të dy meshkuj me shtetësi shqiptare dhe pas proceduarve të kontrollit në bagazhin e automjetit në fjalë është gjetur një sasi prej mbi 52 kg, sasi e dyshuar e substancës narkotike e llojit marihuanë”, është thënë në njoftimin për media.
Po të enjten, sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 19:30, në Gjilan është arrestuar i dyshuari i tretë (L. M.) me shtetësi serbe, i cili dyshohet se kishte për ta pranuar substancën narkotike të lartcekur.
Ndërkaq, pos lëndës narkotike, si prova materiale janë sekuestruar: Dy vetura, katër telefona celularë, dy mijë euro para kesh.
Me vendim të prokurorit kompetent të dyshuarit dërgohen në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore, bën të ditur Policia e Kosovës.
/Epoka e re/