Policia e Kosovës me trajnim për pjesëtarë të OSBE-së
Policia e Kosovës, respektivisht Departamenti i Njësive Speciale të PK-së, dje në kampin e njësive speciale “Vrella” ka mbajtur trajnimin: “Trajnim bazik për monitorimin e tubimeve publike” për pjesëtarë të OSBE-së.
Përmes këtij trajnimi, që tashmë po zhvillohet për 8 vjet me radhë, Policia e Kosovës ka për qëllim forcimin e kapaciteteve monitoruese dhe bashkëpunimit në situata publike.
“Gjatë këtij trajnimi pjesëmarrësve iu prezantuan temat që ndërlidhen me psikologjinë e turmës dhe përgatitjet psikologjike, po ashtu u është bërë edhe demonstrimi i pajisjeve policore që përdoren nga njësitë përkatëse për menaxhimin e tubimeve publike. Në fund të këtij trajnimi të gjithë pjesëmarrësve u janë shpërndarë certifikata, si dhe i njëjti është vlerësuar lart nga pjesëmarrësit, pasi ndër të tjera përforcon edhe bashkëpunimin në mes të PK-së dhe OSBE-së”, ka njoftuar policia.