Policia e Kosovës ndalon 27 azilkërkues
Policia e Kosovës ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” se 27 persona, shtetas të huaj, për të cilët dyshohet se vijnë nga Siria, Afganistani dhe Libia, kanë hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës dhe kanë kërkuar azil.
“Patrulla e Stacionit Policor në Fushë Kosovë ka njoftuar Drejtorinë për Migrim dhe te Huaj, se te rrethi në Fushë Kosovë ka takuar 27 persona shtetas të huaj, që dyshohet se vijnë nga Siria, Afganistani, Libia të cilët kanë kërkuar azil”, është thënë në përgjigjen e policisë.
Sipas policisë, ndaj këtyre 27 personave, nuk po zhvillohen hetime, por personat në fjalë janë trajtuar sipas Ligjit për Azil dhe janë vendosur në Qendrën e Azilit.
Vendet e Ballkanit kanë shërbyer si korridor për shumë emigrantë që kanë ikur nga zonat e luftës dhe varfëria.
Ata përdorin territorin e këtyre vendeve, për të arritur në vendet e pasura në Perëndim.
Agjencia Evropiane e Kufijve “Frontex”, po vazhdon bashkëpunimin me disa vende të Ballkanit, përmes kontrolleve të përbashkëta kufitare.
BE-ja ka vendosur të dërgojë njësitet e saja kufitare në këto vende, pas fluksit të emigrantëve në të ashtuquajturin “Korridori i Ballkanit”.