Policia e Kosovës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Policinë e Nju Jorkut
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i shoqëruar nga drejtoresha e Departamentit të Burimeve Njerëzore Taibe Canolli, drejtoresha e Divizionit Kundër Krimit të Organizuar Florie Hajra dhe zyrtari nga ICITAP-i amerikan Richard Staples, po qëndrojnë për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kanë realizuar takim me Komisarin e Policisë së Nju Jorkut James P. O’Neill si dhe kanë realizuar vizita në Akademinë Policore, departamente të ndryshme, Homland Security (Doganë dhe Polici Kufitare), në Muzeun Memorial, etj.
“Kjo vizitë disaditore është e një rëndësie të veçantë dhe ka për qëllim vazhdimin e avancimit të bashkëpunimit ndërpolicor ndërmjet dy vendeve, si dhe intensifikimin e marrëdhënieve policore me interes të përbashkët”, është thënë në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Si rezultat i takimeve zyrtare dhe bashkëpunimit të ndërsjellë sot drejtori Qalaj dhe komisari O’Neill kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi i cili vlerësohet si i pari me vendet e Ballkanit.
“Përmes nënshkrimit të këtij memorandumi synohet vendosja e bashkëpunimit sa më cilësor, në shkëmbimin e informacioneve policore, në luftën kundër krimit të organizuar, krimit trans-kufitar, parandalimin e kriminalitetit, veçanërisht në format komplekse të krimit të organizuar, krimit me elemente ndërkombëtare si dhe veprave të tjera penale, përfshirë edhe shkëmbimin e praktikave më të mira policore”, është theksuar më tutje në komunikatë.
Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi të dy vendet kanë vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyeshme të të dy policive në të gjitha fushat policore si dhe nevojën e avancimit të bashkëpunimit të mëtejmë edhe në të ardhmen.
/Epoka e re/