Policia e Kosovës nuk e lë Crvena Zvezdën të futet në Kosovë
Crvena Zvezda ka mbërri në kufirin e Jarinjës, ku është ndalur nga njësia speciale e Policisë së Kosovës, ROSU. Me këtë rast, klubit serb nuk i është lejuar futja në territorin e Kosovës, ku planifikonte ta zhvillonte ndeshjen e Kupës së Serbisë ndaj Trepçës serbe
Kontingjenti i ekipit serb, Crvena Zvezda ka mbërri në pikën kufitare të Jarinjës, përmes të cilit pretendonte të futej në territorin e Republikës së Kosovës për ta zhvilluar ndeshjen e Kupës së Serbisë ndaj Trepçës serbe, përcjell Gazeta Express.
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, ROSU nuk e ka lejuar klubin serb të futet në territorin e Kosovës, shkruajnë mediat serbe.
Paraprakisht, edhe tifozët serbë të Zvezdës kanë mbërri në kufi, por as ata nuk janë lejuar të futeshin në territorin e Kosovës. Federata e Futbollit të Kosovës dje i kishte bërë thirrje Policisë së Kosovës ta ndalonte ekipin serb ta zhvillojë këtë ndeshje, të cilën e konsideron si ilegale.