Policia e Kosovës sulmohet sërish në veri

26 prill 2022 | 10:09

Policia e Kosovës ka bërë me dije se sot në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar me armë zjarri një njësi patrulluese kufitare e saj në Zupçe të Zubin Potokut.

Sipas saj, përveç dëmeve materiale në automjet, nuk ka raportime për zyrtarë policorë të lënduar.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga Stacioni Policor në Zubin Potok të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar është sulmuar me armë zjarri. Përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Nga 13 prilli, autoritetet e Kosovës kanë regjistruar gjashtë sulme ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit – duke përfshirë edhe këtë të fundit.

Megjithatë, ato nuk kanë treguar nëse kanë identifikuar ndonjë person përgjegjës për sulmet, mirëpo ka pasur dyshime se të shtënat për disa prej tyre kanë ardhur nga territori i Serbisë.

Komunat në veri të Kosovës, si Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, janë të banuara me shumicë serbe.

Në atë zonë ka pasur disa herë trazira – të fundit kanë ndodhur shtatorin e kaluar, për shkak të disa mosmarrëveshjeve për targat e automjeteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Javier Aguirre ka folur në lidhje me të ardhmen…