Policia e Kosovës suspendon gjashtë zyrtarë policorë
08 gusht 2019
| 21:18
Policia e Kosovës ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” se ka suspenduar gjashtë zyrtarë të Stacionit Policor të Gjakovës, përkatësisht, një major, një kapiten, një rreshter dhe tre zyrtarë policorë, derisa ndaj tyre të përfundojnë hetimet penale.
Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë përmes një komunikate për media se suspendimi i tyre ka ardhur pasi ky trup ka pranuar disa informacione nga Avokati i Popullit lidhur me dyshimet se këta zyrtarë kanë tejkaluar autorizimet policore.
Përveç kësaj në njoftim është bërë e ditur se Inspektorati Policor ka nisur hetimet ndaj këtyre personave mbi dyshimet për kryerje të veprës penale, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike.