Policia e Kosovës thirrje qytetarëve: Kujdes nga mashtrimi përmes investimeve të dyshuara online
03 maj 2024
| 18:00
Policia e Kosovës njofton se së fundmi, keqbërësit kibernetikë janë duke aplikuar një formë mashtrimi përmes së cilës i joshin përdoruesit e internetit që të investojnë në platforma të ndryshme online.
Kjo formë e mashtrimit përfshin investimin në kinse kriptovaluta përmes platformave të ndryshme fiktive që dyshohet se janë skema piramidale.
Me qëllim që të minimizohen kërcënimet kibernetike dhe qytetarët të mos bien viktimë e tyre, Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes nga investime në platforma të panjohura të internetit.
Sipas organeve të rendit, këto janë disa metoda të cilat përdoren nga keqbërësit për të joshur viktimat të investojnë në skema mashtrimi përmes internetit:
- Fitim i shpejtë dhe i garantuar;
- Fitim në vlera joproporcionale dhe i pabazuar në trendin e kriptovalutave;
- Ftesa për regjistrime në platforma përmes linqeve të ndryshme, përfshirë një kod personal përmes të cilit ju jeni ftuar për t’u regjistruar në platformë dhe ju mund të ftoni persona tjerë të investojnë dhe për secilin person të regjistruar ju merrni një shumë nga investimi;
- Me qëllim të “bindjes” së përdoruesve se këto platforma janë gjoja të vërteta, në raste shumë të rralla disa persona shpërblehen duke iu kthyer mjetet;
- Prezantim i rrejshëm i certifikatave të ndryshme për t’u dukur kinse janë platforma investimi të vërteta;
- Platformat e investimeve janë të thjeshta, nuk kërkojnë shumë të dhëna për t’u regjistruar;
- Platformat nuk janë të regjistruara në institucione financiare;
- Njoftimi se e-mail adresa e juaj, numri i telefonit apo llogaria në rrjete sociale është përzgjedhur fituese;
- Investimi tingëllon shumë i mirë për të qenë i vërtetë (psh.:Investo 200 euro për të marrë 400 euro brenda tri ditëve);
Si të mbroheni:
- Kërkoni në burime të hapura për platformën e caktuar dhe shikoni vlerësimet e bëra në internet;
- Hulumtoni nëpër forume online dhe informohuni për platformën apo për projektin;
- Nëse investimi është për kriptovaluta të reja shikoni dhe vlerësoni projektin e valutës;
- Kontrolloni nëse kriptovaluta dhe projekti janë të regjistruara dhe janë të rregulluara nga institucione përkatëse financiare; •Analizoni dhe vlerësoni rrezikun e kthimit në fitim! Nëse fitimi është joproporcional dhe nuk është e qartë se si funksionon kthimi i fitimit konsideroni se kjo mund të jetë skemë piramidale;
- Skemat piramidale mbështeten në një fluks të vazhdueshëm investitorësh të rinj, për të paguar kthime për investitorët e mëparshëm. Ata mund të përdorin metoda të ndryshme referimi ose taktika marketingu, për të nxitur investitorët ekzistues për të rekrutuar të rinj. •Konsultohuni me profesionistë që i njihni;
- Nëse jeni viktimë e këtyre mashtrimeve, i raportoni ato në stacionin më të afërt policor!