Policia e Kosovës thotë se vazhdon të trajnohet edhe nga ShBA-ja

26 shtator 2024 | 13:25

Policia e Kosovës ka thënë se pjesëtarët e saj vazhdojnë të trajnohen nga partnerë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.

Reagimi pasoi raportimet e disa mediave në Kosovë se ShBA-ja i ka ndërprerë për një kohë trajnimet e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, si “formë e sanksionimit”, pas mbylljes së disa komunave paralele serbe në veri të vendit.

Radio Evropa e Lirë” ka kërkuar konfirmim nga Ambasada amerikane në Prishtinë dhe Departamenti amerikan i Shtetit, por nuk ka marrë përgjigje.

Ngjashëm, kërkesës për koment nuk i janë përgjigjur as në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

“Me kërkesë të ShBA-së për pjesëmarrje në trajnime në ShBA, Policia e Kosovës në vazhdimësi, por edhe tani këtë javë ka nominuar zyrtarët e saj për pjesëmarrje në trajnime në ShBA”, është thënë  në njoftimin e policisë.

Aty, po ashtu, është theksuar se Policia e Kosovës i merr “me shumë seriozitet” deklarimet e Ambasadës amerikane në Prishtinë që ndërlidhen me fushën e sigurisë dhe institucionin e Policisë dhe se “është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme” për të ruajtur partneritetin me ShBA-në.

Në një deklaratë për medie, të lëshuar më 30 gusht, Ambasada amerikane ka theksuar se Qeveria e Kosovës “instrumentalizon” Policinë për të kryer veprime të pakoordinuara.

Reagimi i saj ka ardhur në ditën kur autoritetet e Kosovës mbyllën disa institucione në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe – me arsyetimin se funksiononin jashtëligjshëm.

Mbyllja e tyre shkaktoi reagime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare, e cila kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri, t’i trajtojë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

I pyetur për pretendimet e Ambasadës amerikane, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thë në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” këtë javë se “Policia e Kosovës, si çdo polici tjetër në vendet demokratike, ka autorizime për veprimet e saj dhe ka edhe mbikëqyrje”.

“Askund më i fortë dhe më vigjilent se në veri të Kosovës nuk është Inspektorati Policor i Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se të enjten ka bërë…