Policia e Kosovës vazhdon hetimet në zonën rreth Banjskës
Policia e Kosovës po i vazhdon të martën bastisjet nëpër shtëpi dhe objekte në dhe rreth fshatit Banjskë në veri të Kosovës, dy ditë pas një përleshjeje të armatosur me një grup personash, nga e cila mbeti i vdekur një polic dhe tre sulmues.
Hyrja në fshatin e Zveçanit vazhdon të jetë e bllokuar dhe nuk dihet kur do të hapet për qarkullim, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Policia ende nuk e ka mbaruar punën, nuk dihet se kur do ta bëjë, ndoshta sot gjatë ditës”, ka thënë Elshani.
Në Banjskë, fshatin e vogël rreth 55 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë, mund të hyjnë dhe dalin vetëm banorët e tij me nevoja urgjente, sipas Elshanit.
Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës është sulmuar nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rrugë nga dy kamionë pa targa në Banjskë. Si pasojë është vrarë polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën.
Pasi shtiu ndaj zyrtarëve policorë, grupi i armatosur ka ikur dhe është strehuar në manastirin e Banjskës, ku i ka vazhduar përleshjet me Policinë e Kosovës.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia i ka vrarë tre sulmues të nacionalitetit serbë, ndërsa ka arrestuar gjashtë të tjerë.
Ndërkohë në mbrëmjen e 25 shtatorit në hotelin Banjska janë arrestuar edhe dy persona të tjerë për armëmbajtje.
Vendet perëndimore kanë dënuar ashpër sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës dhe kanë kërkuar një hetim urgjent dhe që personat e përfshirë të sillen para drejtësisë.
Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.