Policia e Kosovës vë në pranga të dyshuarin që komprometoi mbi 300 mijë kartela bankare në një shtet të BE-së
Një person është arrestuar pasi dyshohet se ka hyrë në mënyrë të paautorizuar kompjuterike në një bankë të një shteti të BE-së, veprim i cili ka rezultuar në komprometimin e të dhënave të mbi 300 mijë kartelave bankare, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, bëhet me dije se ky operacion është zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit të Republikës së Kosovës dhe autoritetet e një shteti të BE-së.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit të Republikës së Kosovës dhe autoritetet e një shteti të BE-së, ka zhvilluar një operacion të suksesshëm hetimor në Prishtinë dhe Ferizaj. Pas një hetimi disa mujor, është arrestuar një person i dyshuar për hyrje të paautorizuar kompjuterike në një bankë të një shteti të BE-së. Ky veprim ka rezultuar në komprometimin e të dhënave të mbi 300 mijë kartelave bankare, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm. I dyshuari dyshohet se i ka postuar për ti shitur këto të dhëna në një platformë online për përfitime të kundërligjshme. Gjatë realizimit të operacionit të kontrollit janë sekuestruar katër kompjuterë, tre telefona, një USB dhe dokumente të rëndësishme”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
PK-ja ka njoftuar se bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar dhe profesionalizmi i lartë i Policisë së Kosovës kanë qenë kyç në këtë operacion. “Me vendim të Prokurorit, i arrestuari është ndaluar për 48 orë, për procedura të mëtejme. Hetime tjera janë në proces në bashkërendim me autoritetet për të zbardhur plotësisht rastin. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve kibernetike edhe në nivel të avancimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe forcimin e sigurisë publike”, ka njoftuar Policia e Kosovës.