Policia e Pejës për gjashtë ditë gjobiti 475 qytetarë
Në 18 komunat e Kosovës që janë kategorizuar në “Zonën e kuqe”, si komunat me rrezik të lartë pandemiologjik bënë pjesë edhe komuna e Pejës, ku nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve deri në ora 05:00 të mëngjesit.
Në vazhdën e implementimit dhe zbatimit të vendimeve të institucioneve shtetërore, për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19, Policia e Pejës në gjashtë ditëshin e fundit ka shqiptuar gjithsejtë 475 gjoba.
Lajmin për gazetën lokale të Pejës “Zarfi Info”, e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Nga data 16.11.2020 deri më 22.11.2020 Drejtoria Rajonale e Policisë- zona e përgjegjësisë në Pejë ka shqiptuar 475 gjoba për të gjithë ata qytetarë që nuk i kanë respektuar vendimet e Qeverisë së Kosovës gjegjësisht nenin. 24, për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19”, ka thënë zëdhënësi Rugova.
Rugova, gjithashtu ka apeluar tek të gjithë qytetarët e rajonit të Pejës që në përpikëri t’i respektojnë masat anti-covid, në të kundërtën të gjithë shkelësit e ligjit të cilët rrezikojnë shëndetin dhe jetën e qytetarëve do të gjobiten, sepse siç tha ai, në këtë drejtim zyrtarët policor kanë zero tolerancë.