Policia e Pejës publikon 10 rastet kryesore të vitit që po e lëmë pas
Drejtoria Rajonale e Policisë Kosovës në Pejë ka bërë një përmbledhje me 10 TOP rastet e përzgjedhura gjatë vitit 2019 nga Sektori Rajonal i Hetimeve.
Sektori Rajonal i Hetimeve gjatë vitit 2019 ka evidentuar 10 raste si top raste, në të cilat kjo Drejtori thotë se është bërë punë voluminoze.
Rasti 1. Vrasje
Me datën 23.06.2014 në fshatin Llukë të komunës së Deçanit, ka ndodhur një incident vrasje, ku me armë zjarri është vrarë shtetasi m/k/sh.
Nga hetimet e bëra hetuesit rajonal DRP Pejë kanë gjetur prova të mjaftueshëm për një të dyshuar identifikuar me vonë dhe nga rrjedha e hetimeve janë siguruar edhe dëshmi tjera se pos të dyshuarit zbuluar, ka të përfshirë edhe persona tjerë. Bazuar në dëshmitë e siguruara i dyshuari tani është i dënuar me 18 vite burg.
Me zhvillimin e hetimeve në koordinim me organet e drejtësi, më pastaj janë arrestuar edhe 3 persona tjerë të dyshuar dhe në nëntor të këtij viti është shpallur Aktgjykimi për ketë rast ku janë dënuar 4 persona me 49 vite burg.
Rasti 2. Detyrim
Me datën 08.03.2019 në Stacionin policor Istog është paraqitur viktima me profesion oficer korrektues në Burgun e Dubravës, i cili ka deklaruar se është duke u kërcënuar me jetë së bashku me familjen e tij, me ç’rast seriozisht ishte rrezikuar siguria e tij dhe e familjes se tij.
Nga viktima një person i panjohur kërkonte para në vlerë prej 15 000 (pesëmbëdhjetëmijë euro) duke i vendosur edhe një afat kohor shumë të shkurtër, deri kur duhet paguar, në të kundërtën do t’i vrisnin njërin nga djemtë e tij.
Nga veprimet hetimore të bëra në ketë rast duke përfshirë masat e fshehta, puna në terren, bastisjet si dhe dëshmitë e siguruara, pak para se te skadonte afati i vendosur nga i dyshuari, është arrestuar personi i dyshuar bazuar në dëshmitë materiale me të cilat ishte kryer vepra.
Vlen të ceket se viktima e këtij rasti ishte i sëmur dhe gjatë kësaj kohe ka pasur frikë dhe stres të madhe, me ç’rast i është keqësuar gjendja shëndetësore.
Rasti 3. Rrëmbim
Me datën 05.04.2019 rreth orës 08:30 në rr. “Sali Hadergjonaj” – Deçan, ka ndodhur një incident “Rrëmbim” ku dy persona të panjohur për momentin për Policin, me forcë dhe në mënyrë të rrezikshme e marrin një femër, e fusin në një automjet dhe largohen ne drejtim të pa njohur.
Nga hetimet e bëra të njëjtën ditë është bërë i mundur identifikimi i kryesve të këtij rasti, duke siguruar të gjitha provat materiale ku pak para se të arrestohen të dyshuarit, e kanë liruar viktimën (femër) qe e mbanin peng, tek e cila mjeket kanë konstatuar lëndime.
Rasti 4. Rrëmbim
Me datën 05.06.2019 Policia DRP-Pejë ka marr një informatë se në fshatin Staradran-Istog është duke u mbajt i rrëmbyer një person dhe jeta e tije ishte në rrezik
Pas këtij informacioni, të gjitha njësit relevante policore i janë përgjigjur këtij rasti, me ç’rast janë siguruar të gjitha informatat e nevojshme, janë bastisur disa lokacione dhe pas veprimeve operativo-hetimore të ndërmarra në teren, rreth orës 15:30 është bërë e mundur gjetja dhe lirimi i një personi që mbahej peng (i mbyllur) nga orët e hershme te mëngjesit në njërën nga shtëpitë e fshatit Stardran, i cili ishte marr me forcë në qytetin e Mitrovicës.
Me ketë rast janë arrestuar 3 persona, është konfiskuar mjeti me të cilin është kryer vepra penale, po ashtu hetuesit kanë gjetur dhe mbledhur dëshmi materiale për nevojat e procedurës.
Viktima nga maltretimet dhe presionet e të dyshuarve gjendjen shëndetësore e kishte të rënduar, por të njëjtit ju ka ofruar ndihma mjekësor në vend ngjarje ku mbahej, me ç’rast mjeket kanë konstatua lëndimet që kishte pësuar.
Rasti 5. Grabitje e armatosur
Me datë 22/01/2019 rreth orës 11:00 është grabitë qendra tregtare Viva Fresh ne qytetin e Deçanit. Me ketë rast grabitësit nën kërcënimin e armës kishin grabitur rreth 9000 €.
Nga veprimet e ndërmarra në këtë rast, mbledhja e video xhirimeve, puna në teren pa ndërprerë dhe dëshmitë e mbledhura, është arrit që të identifikohen dhe të arrestohen grupi prej gjashtë (6) personave të dyshuarve.
Vlen të ceket se në këtë rast janë shikuar shumë orë video xhirime, është punuar në teren shumë kohë pa ndërprerë dhe atë natë dhe ditë duke operuar në qytetet e Prizrenit , Suharekës ku është arrit që të identifikohen dhe të arrestohen në qytetin e Fushë Kosovës.
Grupi i të arrestuarve kanë qenë me precedent kriminal, të cilët kishin operuar në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe janë të njohur si kryes të veprave të shumta penale.
Po ashtu vlen të ceket se të dyshuarit kishin marr informacione dhe kishin planifikuar shumë ditë më parë si grup i organizuar mirë për të vepruar në ketë rast dhe raste tjera.
Rasti 6. Grabitje
Në rastin me nr.6 ka të bëjë me 5 raste të veprës së grabitjes.
Informojmë se për këto raste është punuar nga hetuesit për një kohë te gjatë për identifikimin e një grabitësi i cili ka vepruar vetëm, pa lënë asnjë gjurmë dhe zakonisht grabiste filialet e bankave mikrofinaciare dhe filialet e distribuimit të produkteve të kompanisë telefonike IPKO, ku viktima ishin vetëm femrat. I dyshuari vepronte në qetësi ku fillimisht mashtronte për arsyen e fshehjes së fytyrës e me pas ekspozonte armen.
Nga veprimet e ndërmarra nga njësiti hetimeve rajonale, është punuar shumë në shikimin më shumë orë të video xhirimeve të marra nga shumë lokacione, intervistimi i shumë dëshmitarëve dhe të dyshimtëve të mundshëm, të gjitha fotot e të dyshuarve janë krahasuar me të dhënat e mara nga viktimat.
I vetmi identifikim të cilin kanë mundur ta përshkruajnë viktimat, kanë qenë sytë e të dyshuarit dhe pas një kohe është arrit që të mblidhen edhe më shumë foto të dyshuarve të mundshëm, ku më pas i janë prezantuar viktimave të rasteve dhe si rrjedhojë e këtij identifikimi, ka rezultuar që t՞ gjitha (7 viktimat) kanë identifikuar të njëjtën foto të syve të prezantuar nga hetuesit. I dyshuari është arrestuar dhe është dënuar 6 vite burgim.
Rasti 7. “Braktisje e fëmijës ( foshnjës)”
Rasti ka ndodhur me 20.05.2019 rreth orës 14:10 në Spitalin Rajonal Pejë.
Atëherë një femër e panjohur, në Spitalin Rajonal në Pejë, në repartin e Gjinekologjisë, kishte sjellë në kontroll foshnjën e porsalindur të gjinisë mashkullore. Gjatë konsultimit me mjekun kujdestarë të repartit të gjinekologjisë, kishte kërkuar të dalë jashtë për të përdorur WC-ën.
Pasi që mjeku i cili kishte filluar kontrollimin e foshnjës ia kishte lejuar që të shkoj në WC-e, femra e panjohur është larguar nga Spitali Rajonal në Pejë, në drejtim të panjohur. Gjatë ndërmarrjes së veprimeve hetimore-operative ( kontrollimi i video incizimeve të kamerave të sigurisë, intervistimin e dëshmitarëve), nga hetuesit rajonal, është arritur të identifikohet, arrestohet e dyshuara për braktisje të foshnjës së porsalindur, e cila në ketë spital kishte ardhur nga një rajon tjetër.
Rasti 8. Grabitje e Armatosur dhe Lëndim i rëndë trupor
Rasti i ndodhur në vitin 2016, me ç’rast persona të maskuar kanë hyrë në shtëpinë e viktimës nën kërcënimin e armës, kanë grabitur nga viktima rreth 200 000 euro.
Pas punës hetimore nga ana e hetuesve rajonal së bashku me krim teknikën në bazë të analizave tekniko kriminalistike ADN-ës është arritur të identifikohet i dyshuari dhe është arrestuar ne vitin 2019. I dyshuari në bazë të provave është dënuar me 8 (tetë) vite burg.
Rasti 9. Grabitje e armatosur
Rasti i ndodhur ne vitin 2018 ‘Grabitje e armatosur’ në rrugën ‘Bill Klinton’ Pejë, me ç’rast i dyshuari kishte hyrë në një bastore sportive dhe nën kërcënimin e armës, i maskuar kishte grabitur një shumë të hollave.
Pas një punë aktive të hetuesve së bashku me krim tekniken në bazë të analizave kriminalistike të ADN-ës është arrit të identifikohet i dyshuari dhe në dhjetor te vitit 2019 është arrestuar.
Rasti 10. Vrasje e rëndë
Viktima e rastit feme, pasi që ishte zhdukur disa javë, Sektori Rajonal i Hetimeve gjatë hetime të vazhdueshme ka gjetur trupin e viktimën së vrarë në bjeshkën e fshatin Strellc-Deçan. Pas hetimeve intensive janë gjetur prova dhe dëshmi, me ç’rast është arrestuar i dyshuari, i cili në këtë vit është dënuar me burgim të përjetshëm.