Policia e rajonit të Mitrovicës shqiptoi 40 gjoba për këmbësorë
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve, ka ndërmarr masa në zbatim të ligjeve të fushës së trafikut rrugor.
Në këtë drejtim, policia ka njoftuar se ka shqiptuar 40 gjoba për këmbësorë të cilët nuk kanë respektuar shenjat e komunikacionit.
“Angazhimet e shtuara policore janë përqendruar në rrugën nacionale Mitrovicë -Prishtinë segmenti rrugor përgjatë fshatrave Lumë i Madh, Stanovc i Epërm dhe Stanovc i Poshtëm, zonë kjo e identifikuar me rrezikshmëri për këmbësorët që nuk shfrytëzojnë nënkalimet, ku si pasojë ka pasur edhe aksidente me fatalitet. Në mbështetje dhe zbatim të masave të shtuar përveç Njësisë së trafikut rajonal, me plan veprimi konkret është duke kontribuar edhe Stacioni Policor Vushtrri, ku për çështjen e sigurisë së këmbësorëve dhe shfrytëzimin e nënkalimeve ka mbajtur tri takime me banorët e tri fshatrave të sipërpërmendura, ndërsa në kuadër të veprimeve konkrete ka shtuar prezencën policore në kuadër të sektorit përkatës që mbulon këto fshatra. Për pjesëmarrësit që bien ndesh me rregullat që parasheh Ligji në trafik, po shqiptohen masa ndëshkuese ligjore, me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve. Dy javët që lamë pas nga njësitë në terren në zonën e fshatrave të lartcekura të Vushtrrisë, për kalim të rrugës së këmbësorëve në zona ku nuk është e lejuar janë shqiptuar mbi 40 gjoba për këmbësorë”, është thënë në njoftimin e policisë.
/Epoka e re/