Policia e Shqipërisë dhe Kosovës me objekt të përbashkët pushimi dhe trajnimi në Vlorë

23 janar 2024 | 15:04

Një prej ambienteve të konfiskuara në luftën ndaj krimit, do të vihet në dispozicion të Policisë së Kosovës për sezonin e pushimeve, por edhe për trajnime të përbashkëta me policinë e Shqipërisë.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla dhe homologu i tij nga Kosova, Xhelal Sveçla, të martën ishin në Vlorë, ku shikuan nga afër ambientin e sekuestruar nga institucionet ligj-zbatuese në luftën ndaj krimit.

Ky objekt që do të vendoset në shërbim të policisë shqiptare dhe asaj të Kosovës për trajnime dhe pushime ka një sipërfaqe 3 089 metër katrorë në ndërtim dhe mbi 2 000 metra katrorë sipërfaqe rrethuese.

“Kemi marrë vendimin që pasuritë e konfiskuara në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të vendosen në përdorim të institucioneve shtetërore. Bashkë me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, ishim në Vlorë ku shumë shpejt do të kemi një shtëpi të madhe pushimi dhe trajnimi për forcat e policisë së Kosovës dhe të Shqipërisë”, ka thënë Balla, duke shtuar se gjatë dimrit zakonisht dy policitë bëjnë edhe kurse trajnimi.

“Me autobusë policët nisen nga Prishtina, për tre orë janë në Tiranë. Për katër orë e gjysmë në Vlorë. Nisen të premten në mëngjes, vijnë pushojnë nga e premtja në të dielën pasdite dhe nisen sërish drejt Prishtinës”, ka përfunduar Balla.

“Patjetër, duhet të shijojnë edhe punonjësit e Policisë pak pushim. Jo vetëm aksione të përbashkëta”, ka thënë ministri Svelça, duke iu përgjigjur Ballës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë të…