![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/05/07520000-0aff-0242-54d2-08da39a3385b_w1200_r1.jpg)
Policia e Shqipërisë ndalon kandidatin opozitar për Bashkinë e Himarës
Policia në Shqipëri ka ndaluar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri. Ndalimi është bërë pak pas mesnatës, në kohën kur kandidati i koalicionit “Berisha-Meta” ndodhej në ambientet e jashtme të një lokali në pronësi të tij.
Së bashku me kandidatin e opozitës për Bashkinë e Himarës janë shoqëruar në polici edhe 3 persona të tjerë, anëtarë të shtabit elektoral të Belerit. Policia e Vlorës nuk ka dalë ende me një njoftim për mediat, por burime të policisë thanë se ndalimi i tij është bërë pasi dyshohet për blerje votash, raporton Rel.
Pas ndalimit të Fredi Belerit, i cili është president i shoqatës OMONIA, organizatë politiko-shoqërore që mbron të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, reagoi Vangjel Dule, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), parti që përfaqëson minoritetin grek në jug të vendit.
“E rrëmbeu policia me urdhër të Ramës. Zoti Beleri duhet të lirohet menjëherë dhe të vazhdojë aktivitetin e tij si kandidatët e tjerë dhe të kurorëzojë fitoren që është e dukshme”, tha Dule.
Ndalimi i Fredi Belerit vjen disa ditë pas debateve politike në lidhje me një deklaratë të tij në një intervistë në mediat greke.
Sipas kryeministrit Edi Rama, kandidati i opozitës për bashkinë e Himarës, ka deklaruar në mediat greke se “Beleri ka premtuar helenizimin e Himarës”.
Duke dënuar këtë deklaratë, kryeministri i kërkoi drejtuesve të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” Sali Berisha dhe Ilir Meta të tërheqë kandidaturën e Belerit. Vetë kandidati opozitar reagoi duke thënë se nuk ka bërë kurrë një deklaratë të tillë.
Pas ndalimit të Belerit, Ministria e Jashtme greke reagoi duke deklaruar se ka udhëzuar ambasadoren e Greqisë në Tiranë të zhvillojë një takim në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë për të kërkuar informacione për këtë ngjarje.
Përballë Belerit në Himarë garon kandidati i Partisë Socialiste, Gjergji Goro, kryetari aktual i kësaj bashkie në jug të Shqipërisë.
Beleri kishte njoftuar në rrjetet sociale një takim pasditen e sotme për të përmbyllkur fushatën zgjedhore.