Policia e Shtetit, ngrihet në “Forcë Kombëtare e Sigurisë Publike”
Ministri i Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, Taulant Balla, njoftoi sot krijimin e një strukture të re të policisë, që do të quhet “Forca Kombëtare e Sigurisë Publike”.
Në një intervistë televizive, Balla sqaroi se nuk do të ketë dy Polici, por do të jetë një strukturë e re brenda Policisë së Shtetit.
“Jo vetëm FNSH, do futen edhe struktura të tjera, ku përjashtohet RENEA. RENEA do vijojë siç është, është histori e madhe suksesi”.
Sipas tij, është e pamundur për shembull që Policia vendore e Sarandës të përballojë një sezon turistik me forcat e veta.
Kështu, Forca Kombëtare e Sigurisë do të hyjë në lojë.
“Në momentin që kemi familjaritet të tepërt të policisë vendore me elementët kriminale me problematikat e sigurisë, Forca Kombëtare e Sigurisë do të jetë një forcë, në drejtimin e drejtpërdrejtë të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që shkon dhe merr përsipër operacionet, vendosjen e sigurisë publike, shtimin e forcave sa i përket ngjarjeve të mëdha”.
Balla theksoi gjithashtu se prioritet kryesor mbetet paketa e sigurisë në shkolla dhe goditja e fenomenit të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Ndërsa përmendi mbi 400 të arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Tempulli”, ministri nënvizpo se lufta kundër trafikut drogës duhet të jetë më sistematike.
Ai vuri në dukje edhe faktin se gjatë këtij sezoni turistik, nuk ka pasur asnjë ngjarje kriminale të ndodhur ndaj një shtetasi të huaj.