Policia, EULEX-i dhe KFOR-i përfundojnë stërvitjen “Shpata e Artë 2024”
Policia e Kosovës, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe misioni i KFOR-it të udhëhequr nga NATO kanë përfunduar stërvitjen “Shpata e Artë 2024”.
Sipas një komunikate të lëshuar nga KFOR-i stërvitja ka demonstruar një aftësi të zgjeruar për të kryer detyra të përbashkëta në përgjigje të skenarëve të ndryshëm të sigurisë. “Përfundimi i stërvitjes ‘Shpata e Artë 2024’ paraqet një moment historik të rëndësishëm në bashkëpunimin afatgjatë ndërmjet këtyre tre entiteteve drejt sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën. Përkushtimi, profesionalizmi dhe fryma e bashkëpunimit e shfaqur nga të gjithë pjesëmarrësit kanë qenë shembullore. Angazhimi ynë për të kontribuar në stabilitetin rajonal është i palëkundur. Së bashku do të vazhdojmë të japim kontributin tonë drejt një të ardhmeje të sigurt dhe stabile për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, ka thënë komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas.