Policia gati për protestën e Lëvizjes Vetëvendosje
Policia e Kosovës ka bërë më dije se ka marrë të gjitha masat për protestën e nesërme të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Policia ka njoftuar se zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë realizuar një takim me organizatorët e kësaj proteste, për të diskutuar rreth mbarëvajtjes së qetë të kësaj proteste.
“PK-ja si institucion i zbatimit të ligjit do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe për krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve, duke përfshirë masat në riorientim të trafikut rrugor”, është theksuar në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Në këtë njoftim është thënë ndër të tjera se, Policia e Kosovës do të jetë profesionale, në respektimin dhe zbatimin e ligjit, çdo herë duke respektuar të drejtat e qytetarëve si dhe çdo herë duke treguar sjellje profesionale gjatë realizimit të detyrave policore.
/Epoka e re/