Policia hedh gaz lotsjellës ndaj protestuesve në Hong Kong
Në Hong Kong, për të dytën ditë me radhë ka pasur përleshje të dhunshme ndërmjet policisë dhe protestuesve pro-demokracisë.
Policia përdori gaz lotsjellës ndaj protestuesve, të cilët dolën në rrugët e Hong Kongut, pavarësisht se policia kishte ndaluar mbajtjen e protestës.
Dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugët në afërsi të zyrës së Qeverisë kineze dhe rrugëve kryesore të Hong Kongut, duke kundërshtuar një projektligj kundërthënës të ekstradimit.
Autoritetet u kanë dhënë leje protestuesve që të protestojnë në një park, por i kanë paralajmëruar që të mos protestojnë jashtë parkut Chater.
Më 27 korrik, policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit në Hong Kong.
Për javë të tëra, në Hong Kong qytetarët kanë kundërshtuar një projektligj të ekstradimit. Protestat janë përcjellë me përplasje të dhunshme ndërmjet policisë dhe protestuesve.
Projektligji kundërthënës i ekstradimit, që lejonte që personat e akuzuar të mund të dalin para drejtësisë në Kinë, u pezullua nga autoritetet në Hong Kong. Megjithatë, kërkesat e protestuesve janë rritur. Ata tashmë kërkojnë zgjedhje direkte, shpërbërjen e legjislaturës aktuale dhe hetim mbi dyshimet për përdorimin e forcës nga policia në këtë territor kinez.