Policia hyn në lagjen e varfër të Brazilit kundër bandave kriminale, 18 persona të vrarë

22 korrik 2022 | 07:59

Policia në Brazil thotë se 18 persona janë vrarë gjatë një bastisjeje kundër një bande kriminale që kontrollon një nga lagjet më të dhunshme të Rio de Zhaneiros.

400 policë ushtarakë të armatosur rëndë u vendosën në Alemao. 16 nga të vdekurit ishin kriminelë të dyshuar, ndërsa një oficer policie dhe një kalimtar ishin dy viktimat e tjera, thanë zyrtarët.

Operacioni zgjati gjithë ditën dhe la mijëra të bllokuar në shtëpitë e tyre.

Objektivi i bastisjes ishte gjetja dhe arrestimi i kriminelëve që po planifikonin operacione në lagjet e varfra rivale, tha policia.

Disa nga objektivat kishin veshur uniforma të ngjashme me policinë ushtarake, gjë që e bëri më të vështirë për t’u dalluar, raportoi media lokale “O Dia”.

400 oficerët u mbështetën nga 10 automjete antiplumb dhe katër helikopterë, shkruan BBC, transmeton Express.

Vendasit u panë duke transportuar njerëz të plagosur në automjete derisa policia po vëzhgonte.

Gilberto Santiago Lopes, nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut Anacrim, tha se policia refuzoi të ndihmonte.

Policia “nuk synon t’i arrestojë, por synon t’i vrasë, kështu që nëse lëndohen, ata mendojnë se nuk meritojnë ndihmë”, tha ai për “Reuters”.

Bastisjet vdekjeprurëse nuk janë të rralla në favelat (lagjet e varfra) e Rio de Zhaneiros, pasi policia dëshiron t’i luftojë bandat e trafikimit të drogës.

Por grupet e të drejtave të njeriut në Brazil janë shumë kritike ndaj operacioneve të policisë në komunitetet e mbipopulluara dhe me të ardhura të ulëta, duke thënë se ato vënë në rrezik jetën e banorëve pa frenuar realisht fuqinë e bandave.

Në maj, 22 njerëz u vranë, duke përfshirë edhe një kalimtare, në favelën Vila Cruzeiro.

Vitin e kaluar, të paktën 25 persona, duke përfshirë një oficer policie, u vranë në një shkëmbim zjarri në zonën Jacarezinho të qytetit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka…