Policia i hoqi shiritat nga sheshet e Prishtinës, ja pse
Policia e Kosovës të martën ka larguar nga sheshet e Prishtinës shiritat të cilët ishin vendosur për ta ndaluar qarkullimin e qytetarëve brenda shesheve. Ata ishin vënë për të mos lënë qytetarët të grumbullohen në qytet, si masë parandalimi të përhapjes së COVID-19. Por, pikërisht dje Lëvizja Vetëvendosje grumbulloi aktivistë të vet në shesh për të bërë prova për protesta të mëdha.
Të martën u hoqën të gjithë shiritat që ndalonin qarkullimin e qytetarëve nëpër sheshet e kryeqytetit. Heqja e tyre nuk ishte paralajmëruar në masat lehtësuese të qeverisë e as të martën kur u hoqën nuk pati ndonjë njoftim nga policia.
Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë për Express se shiritat janë larguar nga Policia e Kosovës për t’u zëvendësuar me të rinj. “Policia i ka larguar shiritat. Ka thënë se do t’i zëvendësojë më të rinj”, ka deklaruar Tahiri.
Shiritat në sheshet e Prishtinës janë vendosur më 6 prill.