Policia i qëllon protestuesit që donin të hynin në Kuvendin e Kenias, janë disa të vdekur
Policia hapi zjarr ndaj protestuesve që po mundoheshin të hynin në ndërtesën e Kuvendit të martën. Të paktën pesë protestues u vranë, dhjetë u lënduan e disa pjesëve të ndërtesës së Kuvendit iu vu flaka, përderisa ligjvënësit brenda saj e miratuan legjislacionin për ngritjen e taksave.
Në skena kaotike, protestuesit ia morën anën policëve dhe i ndoqën ata në përpjekje për ta vërshuar kompleksin e Kuvendit. Flaka mund të shihej brenda kompleksit, raporton agjencia “Reuters”.
Policia hapi zjarr, pasi gazi lotsjellës dhe kamionët me ujë nuk arritën që ta shpërndanin turmën.
Një gazetar i agjencisë “Reuters” i numëroi trupat e të paktën pesë protestuesve jashtë ndërtesës së Kuvendit. Një pjesëtar i ekipeve emergjente, Vivian Achista, tha se të paktën dhjetë persona ishin qëlluar për vdekje.
Një pjesëtar tjetër i ekipeve emergjente, Richard Ngumo, tha se më shumë se 50 persona ishin plagosur nga të shtënat me armë zjarri. Ai po fuste dy protestues të lënduar në një autoambulancë afër Kuvendit.
“Ne duam që ta mbyllim Kuvendin dhe secili deputet duhet të zbresë e të japë dorëheqje. Do të kemi një qeveri të re” – tha protestuesi Davis Tafari, i cili po mundohej që të hynte në ndërtesën e Kuvendit.
Protesta e përleshje pati edhe në disa qytete e qyteza të tjera në mbarë vendin.
Kuvendi e miratoi projektligjin financiar, duke e çuar në lexim të tretë nga ligjvënësit. Hapi i ardhshëm është që legjislacioni t’i dërgohet presidentit për ta nënshkruar. Ai mund ta kthejë projektligjin në Kuvend, nëse ka ndonjë ankesë.
Protestuesit po e kundërshtojnë ngritjen e taksave në shtetin që tashmë po vuan nga një krizë e kostos së jetesës dhe shumë prej tyre po bëjnë thirrje edhe për dorëheqjen e presidentit William Ruto.