Policia i shpreh ngushëllime familjes së nëntëvjeçarit që u vra në Fushë Kosovë
“Më 17 korrik, një djalosh nëntëvjeçar u vra në Fushë Kosovë. Vendi ynë, institucionet e drejtësisë dhe qytetarët janë të tronditur nga humbja tragjike e djaloshit të ri. Me zemër dhe shpirt ndajmë dhembjen me familjen dhe miqtë”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia ka njoftuar se vrasësi i dyshuar është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim. “Policia e Kosovës dhe Kryeprokurori i Shtetit i Republikës së Kosovës, po punojnë së bashku në rishikimin e plotë të procedurave, veprimeve dhe rrethanave të kësaj tragjedie të hatashme. Do të punojmë me zell për të trajtuar mangësitë e identifikuara dhe për të zhvilluar protokolle më të mira, të cilat do të mbrojnë më mirë qytetarët, veçanërisht ata që janë më të cenueshëm në shoqërinë tonë. I shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes në këto momente të rënda”, është theksuar në njoftimin e Policisë së Kosovës.
/Epoka e re/