Policia identifikon 58 fëmijë lëmoshëkërkues
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme në parandalimin e dukurive negative, në veçanti luftën kundër abuzimit me fëmijë, ka përpiluar një plan operativ të emëruar “Identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit” i cili plan u implementua në qershor të vitit 2019 dhe është zbatuar në gjithë territorin e Kosovës, nga të gjitha njësitë e drejtorisë kompetente policore dhe akterët tjerë relevantë, si: prokuroritë në rajonet përkatëse, qendrat për punë sociale, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, njësitë e migrimit në kuadër të drejtorive rajonale të Policisë Kufitare (DRP-ve Kufitare), Stacionet Policore etj.
Gjatë zbatimit të këtij plani operativ ka rezultuar me identifikimin e 58 fëmijëve lëmoshëkërkues, prej tyre 21 shtetas të Kosovës dhe 37 shtetas të Shqipërisë, identifikimin e 42 lëmoshëkërkuesve të rritur, prej tyre gjashtë shtetas të Kosovës dhe 36 shtetas të Shqipërisë, gjithashtu janë ngritur kallëzime penale ndaj tetë personave të dyshuar për veprën penale “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”, neni 243 sipas Kodit Penal të RKS-së.
“Të gjithë fëmijët lëmoshëkërkues kanë qenë të shoqëruar nga familjarët e tyre dhe të pajisur me dokumente. Në prani të punëtorit social, të gjithë fëmijëve lëmoshëkërkues u është plotësuar formulari për shënimet e lëmoshëkërkuesve dhe janë marrë në pyetje familjarët e tyre, me qëllim të identifikimit të viktimave potenciale të trafikimit me njerëz. Gjatë marrjes në pyetje nuk është identifikuar asnjë viktimë e trafikimit”, është bërë me dije në njoftimin e Policisë së Kosovës.
/Epoka e re/