Policia izraelite hyn në kompleksin e xhamisë Al-Aksa
Policia izraelite ka hyrë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa, një vend i shenjtë në Jerusalem, dy ditë pas përleshjeve midis forcave të sigurisë dhe palestinezëve, përleshje që kanë lënë dhjetëra të plagosur.
Policia ka larguar palestinezët nga zona jashtë xhamisë mëngjesin e 17 prillit, ndërsa dhjetëra palestinezë mbetën brenda ndërtesës.
Policia izraelite ka thënë se palestinezët kishin grumbulluar gurë dhe kishin ngritur barrikada, duke u përgatitur për dhunë.
Menjëherë pas kësaj, palestinezët kanë raportuar për përleshje me policinë izraelite jashtë kompleksit të xhamisë. Mjekët palestinezë kanë thënë se dhjetë persona janë plagosur.
Policia izraelite ka thënë se ka hyrë në kompleks për të lehtësuar një vizitë rutinë të hebrenjve në këtë vend të shenjtë, duke shtuar se forcat e sigurisë po vazhdojnë të mundësojnë lirinë e adhurimit për hebrenjtë dhe myslimanët.
Ky vend është jashtëzakonisht i rëndësishëm për myslimanët dhe hebrenjtë i njohur si Mali i Tempullit. Po ashtu, prej kohësh është një zonë ku ka dhunë mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Më 15 prill, përleshjet nisën në këtë vend pasi policia ka thënë se palestinezët hodhën gurë drejt Murit Perëndimor, një vend i shenjtë hebre që gjendet pranë.
Policia ka thënë se zyrtarët hynë në këtë zonë pasi u sulmuan me fishekzjarrë, gurë dhe objekte të tjera. Tre policë palestinezë u lënduan, thanë ata. Sipas raportimeve, mbi 150 palestinezë raportohet se janë plagosur.
Tensionet janë rritur pas një serie sulmesh nga palestinezët që vranë 14 persona në Izrael. Trupat izraelite kanë kryer një valë arrestimesh dhe operacionesh ushtarake në gjithë Bregun e pushtuar Perëndimor, duke shkaktuar përleshje me palestinezët. Të paktën 25 palestinezë janë vrarë, ka raportuar “Associated Press”.