Policia jep detaje për 47-vjeçarin që u gjet i pajetë në Leposaviq, 200 metra larg shtëpisë
Policia e Kosovës e ka gjetur sot trupin e pajetë të një 47-vjeçari në Leposaviq, i cili para disa ditësh ishte raportuar i zhdukur.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i tha Gazetës Express se për zhdukjen e këtij personi, në Polici kishte raportuar djali i axhës së tij. Ai u gjet pa jetë 200 metra larg shtëpisë së tij dhe 460 metra larg nga vendi ku e kishte lënë veturën.
“Me date 12.09.2024 rreth ores 13:00 ne Stacionin Policor –Leposaviq, ka ardhur ankuesi M/S/K D.M. i cili raporton se djali i axhes se tij M/S/K B. M. (47 vjeq), nga data 10.09.2024 diku rreth ores 13:00 eshte zhdukur dhe deri me tani nuk ka asnje gjurme ne lidhje me këtë ështe njoftuar njesia e hetimeve stacionit, hetimet rajonale dhe njesia e zjarrefiksave te cilet kane dale ne kerkim te personit. Ne lidhje me rastin eshte njoftuar prokurori kujdestar i cili ka udhezuar qe rasti te inicohet si person i zhdukur. Në ditët në vijim me datatë 13, 14 dhe 15.09.2024, kanë vazhduar kërkimet nga njësitë policore, zjarrfiksit dhe Shoqata për Kërkim dhe Shpëtim nga Prishtina, por pa sukses”, tha Elshani në një deklaratë me shkrim.
“Sot me datë 16.09.2024, jemi organizuar së bashku me njësinë e zjarfikësve nga Leposaviqi dhe rreth orës 10:20, nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës është gjetur trupi i pajetë që dyshohet se ishte B. M.”, tha ai.
Elshani tha se për këtë janë njoftuar organet kompetente.
“Janë njoftuar hetimet rajonale dhe mjekësia ligjore dhe rreth orës 13:30 ka përfunduar e tërë procedura dhe trupi i pajetë është dërgiuar në mjekësinë ligjore në Prishtinë”, tha ai.