Policia jep detaje për aksidentin e shkaktuar nga ministrja Rozeta Hajdari

11 prill 2022 | 09:22

Policia ka dhënë detaje rreth aksidentit të shkaktuar nga ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, të dielën në rrugën “Vicianum” të Prishtinës.

Në raportin 24 orësh, policia i referohet Hajdarit si “e dyshuara femër kosovare” e cila përderisa ishte duke drejtuar veturën, ka goditur viktimën mashkull kosovar.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet tutje në raport.

Ndërkohë, mbrëmjen e së dielës, Hajdari ka dalë me një deklaratë në llogarinë e saj në Facebook, duke thënë se përderisa ishte duke vozitur, dy fëmijë ishin shfaqur papritur në rrugë, duke shtuar se njëri prej tyre ishte përplasur me veturën e saj.

“Me shqetësim menjëherë kam reaguar, duke i ofruar ndihmë fëmijës dhe kam lajmëruar Policinë të cilët janë marrë me gjithë evidencën e rastit”, ka shkruar ajo ndër të tjera.

Deklarata e plotë e ministres Hajdari:

Për hir të informimit te drejtë, sot në mesditë në rrugën Vicianum në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, gjersa po kthehesha me veturën time personale për në banesë, gjatë vozitjes sime pranë Meridian Market, papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqsisht njëri nga ta u përplas anash në veturën time.

Me shqetësim menjëherë kam reaguar, duke i ofruar ndihmë fëmiut dhe kam lajmëruar Policinë të cilët janë marrë me gjithë evidencën e rastit.

Ndjehëm më e lehtësuar, që pas ekzaminimeve mjekësore, fëmiu nuk pësoi lëndime të rënda dhe është kthyer në shtëpi.
Fëmiut i uroj shëndet e jetë të gjatë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Muaji mars solli të papritura të pakëndshme për të gjitha…