Policia jep detaje për arrestimin e dy zyrtarëve të ATK-së në Gjilan
Policia e Kosovës në Gjilan ka arrestuar dy zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, pasi kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare.
Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës është bërë me dije se të dyshuarit janë arrestuar të mërkurën, ndërsa lidhur me këtë rast janë kryer hetime në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.
“Njësitet policore të Drejtorisë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit-Prishtinë pas disa veprimeve hetimore në koordinim edhe me Prokurorinë Themelore në Gjilan, me 17.03.2021 kanë arrestuar njërin nga dy të dyshuarit meshkuj kosovar-zyrtar të ATK-së, nën dyshimin se kanë kryer veprën e cekur me lart”, ka njoftuar policia.
Gjatë bastisjes në shtëpinë dhe vendin e punës së të dyshuarve, policia ka gjetur dhe sekuestruar para të gatshme, telefona e dokumente zyrtare.
Njëri nga të dyshuarit është liruar, ndërsa tjetri pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
“Po ashtu, gjatë bastisjes në shtëpitë dhe zyrat e punës së tyre, janë sekuestruar para të gatshme, dy telefona, një shtëpizë kompjuteri, dy llap-top dhe disa dokumente zyrtare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari i arrestuar pas intervistimit është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt. Rasti vazhdon të hetohet”, ka njoftuar Policia e Kosovës.