Policia jep detaje për operacionin ‘Goditja’: Arrestohen 72 persona dhe konfiskohen 34 armë
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka hartuar dhe është në zbatim të operacionit “Goditja”, i cili ka për qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Gjatë pesë ditëve (8 deri 12 gusht 2023) të realizimit të detyrave që rrjedhin nga ky urdhër, policia ka shtuar aktivitetet e saja në drejtim të goditjes së personave e grupeve që me veprimet e tyre, mund të bien ndesh me ligjet e vendit.
Gjatë kësaj kohe, me qëllim të ofrimit të një ambienti sa më të qetë, në zonat urbane është bërë shtimi i patrullave policore të njësiteve të ndryshme dhe janë shënuar aktivitetet si në vijim:
- Janë realizuar 2 154 pika kontrolli për automjete, 730 prej tyre me radarë dhe alool-test,
- Janë kontrolluar 1 2038 vetura,
- Janë kontrolluar 229 lokale,
- Janë arrestuar 72 persona, prej tyre 24 me urdhër-arreste nga gjykatat dhe
- Janë konfiskuar 34 armë.
“Policia do të vazhdojë të kryejë dhe të realizojë pikat e parapara me këtë urdhër me qëllim që rastet kriminale dhe aktivitet tjera antiligjore të parandalohen dhe zvogëlohen sa më shumë”, ka njoftuar policia.
Më tutje, policia ka ftuar të gjithë ata që posedojnë (armë) ose janë prezent në situata ku mund të ketë shkelje ligjore, dukuri tjera të ndaluara, ku shfaqen situata ku mund të rrezikohet jeta e qytetarëve, ta lajmërojnë policinë.