Policia ka dhënë detaje të reja për vrasjen që tronditi sot Skënderajn, ku një 42-vjeçar humbi jetën pas të shtënave me armë zjarri brenda një lokali.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, tha se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Sala e Hamit Jashari”, rreth orës 13:50.
“Sot më, 12 shkurt 2025, rreth orës 13:50 policia në Skenderaj ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Sala e Hamit Jashari” në Skenderaj. Sipas informatave fillestare të shtënat kanë ndodhur brenda një lokali, ku si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit, ka humbur jetën viktima, një mashkull rreth 42 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Zahiti.
Ai ka shtuar se hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.
Gazeta mëson se viktima është I.I., ndërsa si i dyshuar për vrasjen po kërkohet një 63-vjeçar me inicialet H.I., i cili ndodhet në arrati dhe dyshohet se ka edhe shtetësi britanike.
Sipas burimeve, edhe viktima edhe i dyshuari janë nga i njëjti fshat dhe e njëjta lagje.