Policia konfirmon nisjen e hetimeve për disa pamflete në veri
Policia e Kosovës ka konfirmuar të premten për “Radion Evropa e Lirë” se ka nisur hetimet pas identifikimit të disa pamfleteve me gjuhë urrejtëse në veri të vendit.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, ka thënë se me urdhër të Prokurorisë, rasti është iniciuar si “nxitje e urrejtjes dhe përçarjes”.
Deri më tani, sipas Elshanit, nuk është askush i dyshuar.
Pamfletet që janë parë në veriun e banuar me shumicë serbe, kanë qenë me fotografi të disa personave të maskuar dhe të armatosur, me mbishkrimet se të gjithë janë “Millana dhe vëllezër nga Banjska”, dhe që janë në pritje të “okupatorit”.
Në disa pamflete është parë edhe fotografia e Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili e ka pranuar organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin kundër Policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar.
Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në këmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Dy ditë më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Radoiçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë.
Të përfshirët, sipas prokurorit të rastit, Naim Abazi, kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal – “duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave”.
Në aktakuzë nuk është përmendur përfshirjen e mundshme e udhëhëqësisë së Serbisë, ndonëse autoritetet e Kosovës e akuzojnë atë vazhdimisht për sulmin në Banjskë, të cilin e konsiderojnë terrorist.