Policia konfiskon mbi 5 mijë euro të falsifikuara
Policia e Kosovës kanë arrestuar dy persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “falsifikim i parasë”.
Është bërë me dije se më 6 dhjetor nga pikëkalimi kufitar në Glloboçicë njësitet policore kanë marrë informatë për një rast dyshimi për “falsifikimin e parasë”, ku të dyshuarit tashmë të arrestuar janë ndaluar nga Policia Kufitare, të cilët gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarve kanë gjetur të fshehura kartëmonedha të falsifikuara.
“Kontrollimi i të dyshuarve është bërë me kërkesë të hetuesve policorë të Kaçanikut, të cilët kishin informatë se të dyshuarit kanë bërë pagesë në një pompë të derivateve me bankënota të falsifikuara, duke u larguar nga vendi i ngjarjes”, ka njoftuar policia.
Të arrestuar lidhur me rastin janë B. A., lindur më 1993 dhe V. H., lindur më 1987, që të dy shqiptarë shtetas të Maqedonisë.
Gjatë kontrollit nga policia atyre i janë gjetur 73 kartëmonedha në vlerë prej 5 100 euro.