Policia kontrollon avionin e Guardiolës, dyshonte se fshihej Puigdemont
Avioni me të cilin udhëtonte familja e teknikut të Mançester Sitit u analizua dy herë pas uljes në Spanjë.
Policia spanjolle ka kontrolluar avionin privat, me të cilin udhëtonte nga Mbretëria e Bashkuar, familja e trajnerit të Manchester City, Pep Guardiola.
Avioni i Guardiolës është kontrolluar të paktën dy herë në javët e fundit, pasi policia kishte dyshime se aty fshihej presidenti katalanas, Carles Puigdemont.
Puigdemont, i akuzuar për “rebelim”, ka qenë në mërgim për tre muaj në Belgjikë, ndërsa një urdhër arresti spanjoll rëndon ende mbi të.
Guardiola, ish-tekniku i Barcelonës, është një mbështetës i deklaruar i pavarësisë së Katalonjës.
Sipas mediave spanjolle, policia gjithashtu ka kontrolluar makinën e vajzës së Guardiolës në aeroportin e Barcelonës “El Prati” për të verifikuar që nuk fshihej aty, presidenti katalanas i rrëzuar nga Madridi pas shpalljes së Republikës së Katalonjës.(gazeta-Shqip.com)