Policia kryen bastisje në tri lokacione të Zubin Potokut, konfiskohen prova materiale
Policia e Kosovës, të martën ka kryer bastisje në Zubin Potok ku janë konfiskuar prova materiale.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendëskomandanti i policisë në Veri, Veton Elshani.
“Tri bastisje janë kryer sot në Zubin Potok lidhur me rastin ‘detyrim’ që ka ndodhur më herët. Nuk ka të arrestuar, ndërsa janë konfiskuar prova materiale që konsiderojmë se janë të dobishme për rastin”, ka thënë Elshani për AP.
Edhe më 11 tetor, në Veri ishin kryer tri bastisje.
Për këto bastisje zëvendësdrejtori Elshani, kishte thënë se bastisjet kanë përfunduar pa asnjë incident, derisa nuk ka treguar se çfarë kanë arritur të konfiskojnë nga vendi i ngjarjes.
Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.
Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.
Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.
Nga institucionet e Kosovës, janë duke vazhduar hetimet lidhur me këtë rast.