Policia lejon Lëvizjen Vetëvendosje të mbajë provën e dytë për protestë
Policia e Kosovës do të lejon Lëvizjen Vetëvendosje që nesër të mbajë provën e dytë të përgatitjes për protestë.
Këtë e kanë bërë të ditur zyra e medieve në Policinë e Kosovës.
“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor, siç është lajmëruar edhe kjo performancë/tubim”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për “Telegrafin”.
Policia e Kosovës thekson se do të ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës.
“Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës do të ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe vendimeve të institucioneve kompetente për menaxhimin e situatës në këtë kohë të pandemisë COVID-19, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, shëndetit publik, si dhe për të respektuar vendimet, masat dhe kufizimet e parapara ndaj pandemisë”.
Ndërkaq, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka thënë për “Telegrafin”, se në provën e dytë planifikojnë të jenë nga 3 mijë e 500 deri në 5 mijë persona.
LVV provën e parë e ka realizuar para disa ditëve, ku kishin marrë pjesë afro 500 qytetarë të cilët kishin maska dhe dorëza.