Policia malazeze arreston rreth 60 persona për protestat e dhunshme
Policia e Malit të Zi ka arrestuar rreth 60 persona, për shkak të protestave të dhunshme më 13 maj, përmes të cilave u kërkua lirimi i tetë priftërinjve të Kishës Ortodokse Serbe.
Përleshjet mes protestuesve dhe policisë ndodhën në qytetet Nikshiq dhe Plevle.
Njëzet e gjashtë policë u plagosën gjatë përleshjeve, tha në një deklaratë policia, duke shtuar se njëri prej policëve të plagosur është shtruar në spital.
Tetë priftërinj në Mal të Zi mund të përballen me 12 vjet burgim për shkeljen e urdhrave të shëndetit publik, pasi drejtuan një liturgji të paligjshme, nëpër rrugët e qytetit Nikshiq.
Mijëra besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, injoruan masën e ndalimit të tubimeve publike të cilën qeveria e ka vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe morën pjesë në një liturgji fetare./rel/