Policia malazeze pranon kalimin e Gruevskit përmes territorit të saj
Policia e Malit të Zi ka konfirmuar se ish-kryeministri Nikolla Gruevski ka hyrë në territorin e Malit të Zi më 11 nëntor dhe po atë ditë ka lënë vendin.
“Për shkak të interesimit të mediave për ish-kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhe në interes të informimit të vërtetë, ne njoftojmë se Nikolla Gruevski hyri në Malin e Zi në datën e përmendur më 11 nëntor dhe u largua nga vendi në të njëjtën ditë. Policia malazeze për këtë rast i respekton plotësisht procedurat ligjore”, thuhet në deklaratën e policisë malazeze.
Por policia malazeze nuk ka dhënë detaje se si Gruevski hyri në vend dhe prej cilit vendkalim kufitar u largua.
Ndërkohë që Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shqipërisëka konfirmuar se Gruevski ka hyrë në Shqipëri më 11 nëntor.