Policia mbylli 29 motele
Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë një operacioni policor në 272 lokale hoteliere në nivel vendi, ka mbyllur 29 prej tyre për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore.
“Lidhur me operacionin policor të filluar me datën 11 qershor 2019, ku në fokus ishin veprimtaritë e kundërligjshme në objekte hoteliere ju njoftojmë se deri tani operacioni është realizuar sipas planifikimeve të parapara. Operacioni policor është realizuar në bashkëpunim me autoritetet tjera me ç’rast janë kontrolluar 272 lokale (motele/bujtina) dhe ka rezultuar me mbylljen e 29 lokaleve, të cilat nuk i plotësojnë kriteret e parapara sipas procedurave dhe ligjeve në fuqi”.
“Ashtu siç është bërë e ditur me datë 11.06.2019: një rast është adresuar sipas kompetencës lëndore tek njësiti rajonal në Prishtinë për posedim ilegal të narkotikëve, dhe disa raste tjera si në vijim; një rast është adresuar njësitit kompetent në Prizren, me dyshimin për veprën penale ‘marrëdhënie seksuale me personin nën moshën 16-vjeçare’ ku janë konfiskuar dy dokumente (të dy shtetaseve të Shqipërisë) që janë hasur në Pejë, pa leje qëndrimi, për procedura të mëtejme”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës, në përpjekje për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme, ka zhvilluar planin operacional në drejtim të identifikimit të të gjitha objekteve hoteliere, moteleve (bujtinave) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ku të targetuara kanë qenë mbi 100 objekte.
“Ky aktivitet është zhvilluar duke përdorur edhe resurset tjera institucionale në bashkëpunim me institucionet përkatëse që kanë për domen këtë fushë të veprimtarisë ekonomike. Për bashkërendim të procedurave ligjore janë kontaktuar të gjitha prokuroritë kompetente në të gjitha regjionet respektive të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar policia.
/Epoka e re/