Policia me aktivitete shtesë për ngritjen e sigurisë në trafik
Me qëllim të ngritjes së masave të sigurisë në trafikun rrugor, në kuadër të planit operativ “Sezoni veror 2022”, në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, kanë filluar së realizuari aktivitete shtesë për rrezikun dhe pasojat ligjore dhe të sigurisë nga mosbartja e helmetës gjatë ngasjes së motoçikletës.
“Përmes angazhimeve të shtuara policore synohet vetëdijesimi i pjesëmarrësve në trafik e në veçanti i ngasësve të motoçikletave për mbajtjen e helmetës gjatës ngasjes së motoçikletës, ku njëkohësisht ngasësve po iu shpërndahen edhe fletushka me moton ‘Mosbartja e helmetës rrezikon jetën e ngasësit’. Realizimi i këtyre masave preventive edhe një herë dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të policisë në parandalim dhe ngritje të masave të sigurisë së pjesëmarrësve në trafik”, është bërë me dije në njoftimin e Policisë së Kosovës, duke apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që të kenë kujdes dhe t’iu përmbahen rregullave të përcaktuara me Ligjin për sigurinë në trafik.