Policia me plan operativ për festat e fundvitit
Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka vlerësuar se nga aspekti i rendit dhe sigurisë publike, festat e fundvitit, përmbyllja e këtij fundviti dhe fillimi sa më i mbarë i vitit të ri 2020, është prioritet i tyre dhe kjo mund të arrihet vetëm me një përkushtim dhe vigjilencë të të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të vendit tonë.
“Sikurse edhe viteve të kaluara Policia e Kosovës edhe këtë vit për festat e fundvitit ka përgatitur urdhrin operativ ‘Fundviti – 2019 dhe fillimi i 2020’ për të ofruar siguri, rend dhe qetësi publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Qëllimi i këtij planifikimi dhe angazhimi të Policisë së Kosovës, është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin, shtimi i prezencës policore në rrugë dhe ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim të qytetarëve, parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale, si dhe parandalimi i rasteve të mundshme të natyrave të ndryshme”, është thënë në komunikatën e policisë.
Po ashtu është bërë me dije se pjesë e planit është edhe shtimi i prezencës policore në komunikacionin rrugor me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe incidenteve të mundshme në trafik.
Policia e Kosovës ka apeluar tek të gjithë qytetarët e vendit, që të respektojnë dispozitat ligjore, të respektojnë shenjat e trafikut, t’u përmbahen kushteve të rrugës si dhe të mos drejtojnë automjetet nën ndikim të alkoolit.
“Po ashtu PK-ja me theks të veçantë apelon tek ç’do prind që të jenë më të kujdesshëm dhe më vigjilentë në parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike sidomos nga fëmijët, me qëllim të shmangies së rrezikut që mund të shkaktojnë mjetet plasëse, fishekzjarrët ku si pasojë e mospërdorimit adekuat të tyre vite më parë janë evidentuar incidente me pasoja të rënda. Në të kundërtën Policia e Kosovës do të ndërmarr të gjitha veprimet e menjëhershme ligjore kudo që vëren se janë përdorur armë apo mjete tjera të kundërligjshme”, është theksuar në komunikatën e Policisë së Kosovës.
/Epoka e re/