Policia me plan operativ ‘tejkalimet në vendet e ndaluara’
Ngritja e nivelit të sigurisë rrugore është prioritet i njësive të trafikut rrugor me qëllim të parandalimit të aksidenteve, në veçanti atyre me pasoja të rënda. Kështu është bërë me dije në njoftimin e Policisë së Kosovës.
“Njësitë e trafikut përveç aktiviteteve parandaluese, planeve operative të dala nga plani vjetor i punës, përpilojnë edhe plane tjera shtesë duke u bazuar në situatën në teren”.
“Duke marrë parasysh se një numër i madh i aksidenteve të rënda rrugore të shkaktuara nga faktori njeri është si shkak i shpejtisë së lëvizjes dhe sidomos tejkalimeve në vende të ndaluara, atëherë duke u bazuar në situatën në teren ka qenë e nevojshme marrja e masave konkrete përmes zbatimit të planit operativ ‘Tejkalimet në vendet e ndaluara’ ku përfshihen tejkalimet në vijën e plotë, tejkalimet e kolonës së mjeteve, tejkalimet në kthesa … etj”, është theksuar në njoftimin e policisë.
Polica e Kosovës ka njoftuar se do të vazhdojë me masa konkrete ndaj atyre shoferëve të cilët me veprimet e tyre kryejnë kundërvajtje të tilla dhe rrezikojnë pjesëmarrësit në trafik.
“I ftojmë pjesëmarrësit në trafik të dëshmojnë kulturën e tyre në respektimin e rregullave dhe shenjave të trafikut rrugor”, thuhet ndër të tjera në këtë njoftim.