Policia ndalon 20 persona që nuk respektuan masat kundër koronavirusit

16 maj 2020 | 13:37

Policia e Kosovës ka ndaluar 20 persona, të cilët nuk kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet, që kanë për qëllim luftimin e koronavirusit.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në Komunën e Pejës është numri më i madh i të ndaluarve, përkatësisht 11 persona, pasuar nga komuna e Mitrovicës së jugut me 3 persona.

Në Kosovë, që nga 4 maji ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Qytetarët kanë të drejtë të dalin tre orë në ditë dhe orari i qarkullimit është i rregulluar në bazë të shifrës së parafundit të numrit personal të letërnjoftimit.

Kurse, në fazën e dytë e cila pritet të nisë nga 18 maji, qytetarët kanë të drejtë të dalin dy herë nga dy orë në ditë, varësisht nga numri i fundit në letërnjoftim.

Kryeministri në detyrë i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky vendim është marrë pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, raporton “Rel”.

“Nga e hëna do të rihpahen edhe disa biznese: floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti ‘merre me vete’, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë”, ka thënë ai.

Numri total i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 955.

Prej tyre, 29 vetë kanë humbur jetën. Shumica nga ta kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Dr. Scc. Baki Rexhepi Historia thotë se Odiseu hileqar…