Policia ndan 1 milion e 200 mijë euro për autobusë, kërkohet që tenderi të jepet në mënyrë urgjente
Policia e Kosovës po bëhet gati t’i blejë pesë autobusë të rinj. Për këtë furnizim janë ndarë 1 milion e 200 mijë euro. Por, krejt kjo procedurë po kërkohet të përfundojë më urgjencë, madje për vetëm 20 ditë.
Një tender që kap vlerën e 1 milion e 200 mijë eurove po pretendohet të kryhet për vetëm 20 ditë.
Urgjencën për t’i blerë pesë autobusë të rinj e ka shfaqur Policia e Kosovës, duke i thënë edhe KRPP-së që t’i shpejtojë procedurat.
Zakonisht një tender nga data e shpalljes e deri të shpallja e fituesit nuk përfundon para 30 ditë, por në këtë rast duket se është bërë një “lëshim”.
Për këtë është dhënë një sqarim dhe arsyeje.
“Arsyeja e shkurtimit të afatit është e pasi qe projekti: FURNIZIM ME AUTOBUSA PËR POLICINË E KOSOVËS –Ritender 1 sipas kërkesës se njësisë kërkuese dhe duke ju referuar gjendjes teknike te autobusëve që ka Policia e Kosovës si dhe nevojat për transportin e punonjëseve te Policisë se Kosovës ,dhe pasi ky projekt publikohet për here te trete pas asnjë ndryshim me mirësjellje kërkojmë që ky projekt te procedohet me afate te shkurtuara. Afati kohor për dorëzimin e tenderëve / aplikacioneve është shkurtuar: Po 1 Jo 0 ”, thuhet në njoftimin e shpallur.
Ky tender është shpallur dje dhe pritet të mbyllet (shpallet fituesi) me datën 09 të muajit tetor.
“Data e përgatitjes së njoftimit: 20.09.2023. Hapja e tenderit do te bëhet me: 09.10.2023, në 14:00:00 orë Vendi: Rr “Luan Haradinaj”, nr. 99, Ndërtesa e Re e Administratës të Policisë, kati II, zyra e Prokurimit nr. 32, Prishtinë, Kosovë”.
Blerja e pesë autobusëve është paraparë t’i kushtojë policisë së Kosovës 1 milion e 200 mijë euro.
“Vlera e parashikuar e kontratës: 1,200,000.00 euro. Sasia apo fushëveprimi i përgjithshëm (përfshirë të gjitha pjesët dhe opsionet nëse aplikohen) 5 copë. Të gjitha ofertat duhet të dorëzohen në mënyrë elektronike përmes platformës së e-prokurimit. Afati i fundit për dorëzim është 09.10.2023”.
Në dosjen e tenderit është treguar se këta autobusë duhet të jenë të bardhë. Autobusët po ashtu duhet të jenë turistik me klimatizim.
Po ashtu duhet të kenë së paku nga 38 ulëse.
“Lloji I ngjyresë : E bardhë. Fuqia e motorit : Min 220 PS. Klasa e emitimit të gazrave : min Euro 6. Kapaciteti I ulësve: min 38. Nr. Dyerve për udhëtar 2. Dimensionet Gjatësia (m): min 9,150 Gjerësia (m): min 2,250 Lartësia (m): min 3,150 me A/C Lartësia e interierit (m): min 1,900. Modelit I ndërrusit: manual ose automatik(3 vite garancion). Modeli I rotaiderit : min Transmetim manual. Sistemi I frenimit duhet të jetë : pneumatik, modeli I frenimit të jetë për të dy akset me disqe. Pajisjet standarde minimale; Xhamat e dyfishtë, perdet , fellne standarte, mbrojtëset nga dielli para, ulësja ndihmëse, radio CD, mikrofonin për informimin e pasagjerëve, drita për mjegull, tepihat e dyshemesë, paranxemje (vebstator)”.